Përfundoi me sukses edicioni i 7-të i Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit Burimor DUFLLA që u mbajt 3 ditë radhazi në fshatin Rashçe të komunës së Sarajit – Shkup.
Ishte ky festivali që mblodhi shtetet ballkanike në një vend për të prezantuar kultura të ndryshme. Pjesëmarrës në këtë festival ishin grupe folklorike nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Bullgaria, Shqipëria, Greqia, Mali i Zi, Bosna e Herzegovina, Kroacia, Turqia, Rumania.
Përveç grupeve garuese pjesë e programit të festivalit ishin edhe ansamble dhe artist mysafir të qytetit tonë dhe Kosova.
Juria profesionale e përbërë nga prof. Shaqir Hasi – etnomuzikolog kryetar i jurisë, prof. Dilaver Kryeziu – etnokoreolog dhe Arif Haxhiu – rapsod vlerësuan grupet më të mira dhe vendosën që Çmimi i madh Grand Prix i Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit Burimor DUFLLA 2022 të shkoj në Shqipëri për ansamblin KUVENDI Zalldardhë – Dibër.
Vendi i parë – QKUK Nikola Jovkov Vapcarov – Dellçevë, Maqedonia e Veriut
Vendi i dytë – Ansambli CHERNICHE – Bullgari
Vendi i tretë – Grupi Folklorik TRADITA – Kuçovë, Shqipëri
Çmimi i publikut – Ansambli CHERNICHE – Bullgari
Koreografia më e mirë – Ansambli LILJAN – Maqedonia e Veriut
Paraqitja skenike më e kompletuar – KUD BEHAR – Maoça – Bosnjë e Hercegovinë
Grupi Folklorik më i kompletuar – SHKA TINGUJT E VENDLINDJES – Stagovë, KOSOVË
Rapsodi më i mirë Idriz Çilafi – Shaban Mziu – Zalldardhë, SHQIPËRI
Veshjet më të kompletuara – QK Lokalno Nasledstvo – BULLGARI
Valltari më i mirë – Dyshja VISARET E KRRABËS – SHQIPËRI
Valltarja më e mirë – Aida Hyseni SHKA RINIA Sillare – Maqedonia e Veriut.
Shumë kultura në një vend, aty ku dufllon burimi i jetës jehoi kënga e vallja nën flamujt ballkanik. Festivali ynë çdo vit ngritet edhe në organizim edhe në realizim prandaj nga ky vit jemi edhe partner zyrtar i organizatës më të madhe botërore CIOFF seksioni Shqiptar theksoi drejtori i Festivalit DUFLLA z.Ylber Idrizi.
Vlen të theksohet se festivalin nga afër e ndoqën mbi 2500 spektator personalitete të ndryshme të kulturës e artit, politikës dhe mërgimtarët tanë nga të gjitha vendet e botës.